Telegrafi

Gjuriq i reagon Çitakut për krimet e luftës

Pas deklaratës së ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, se heshtja e ndërkombëtarëve për fyerjet e Daçiqit dhe Vulinit ndaj shqiptarëve është shurdhuese, ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Përmes Twitterit, Gjuriq ka thënë se për herë të parë pajtohet me Vlora Çitakun, por heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është shurdhuese për serbët.

“Për herë të parë pajtohemi, heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është vërtetë shurdhuese – 20 vjet pa drejtësi për mijëra serbë të vrarë dhe të pastruar etnikisht nga Kosova, qindra kisha të krishtera të djegura dhe rini e vjedhur”, ka shkruar Gjuriq.

Lexo po ashtu Çitaku: Heshtja e ndërkombëtarëve për Daçiqin dhe Vulinin është shurdhuese

Gjuriq tha se Serbia ofron mbështetjen e plotë për Dhomat e Specializuara Ndërkombëtare për gjoja krimet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkaq, Çitaku përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter, e ka komentuar letrën e ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, drejtuar ambasadorëve të Kuintit, lidhur me kërcënimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq dhe komunikatës të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin, ku iu referohet shqiptarëve si “shiptarima”.