Një përleshje me armë zjarri ka ndodhur rreth orës 22:00, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Si pasojë një person ka mbetur i plagosur.
Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi.
“Pas orës 22:00 në rrugën “Agim Ramadani” ka ndodhur fillimisht një mosmarrëveshje e shkaktuar me një zënkë mes dy grupeve të caktuara. Njëri grup i përbërë nga dy persona tjetri grup nga tre persona. Në grupin e përbërë nga dy persona njëri ka mbetur i plagosur në këmbë. I plagosuri dhe personi tjetër kanë thënë që nuk i njohin tre personat…”, ka thënë Krasniqi.
Policia ka arritur në vendin e ngjarjes por nuk ka arritur të identifikojë të dyshuarit të cilët janë persona të panjohur edhe për viktimën dhe shokun e tij.
Rasti në fjalë është duke u hetuar nga organet e policisë.
Kujtojmë se mbrëmë në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë ndodhi një përleshje me thika mes disa të rinjve ku njëri prej tyre mbeti i lënduar rëndë./Telegrafi/