Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi është pakrahasimisht përpara politikanëve si Albin Kurti.
Ai ka thënë se kryeministri Kurti është një politikan pa vizion që nuk e njeh historia për asnjë gjë.
Gjoshi ka akuzuar Kurtin se për një dekadë i ka mashtruar qytetarët e Kosovës duke thënë se në Bruksel po nënshkruhen akte tradhtie kundër Kosovës, ndërsa sot krenohet duke u pajtuar me marrëveshje pa asnjë pikë apo presje të hequr nga ajo e kohës së Thaçit.
“Hashim Thaçi është pakrahasimisht përpara politikanëve si Albin Kurti, pa vizion dhe që nuk i njeh historia për asgjë. Sot Albin Kurti dhe Vetëvendosje po gëzohen shumë që po arrijnë t’i zbatojnë marrëveshjet e Hashim Thaçit. Ky nuk është sukses, por mjerim për Kosovën dhe vitet e humbura për shkak të një njeriu – Albin Kurtit. Për një dekadë i ka mashtruar e gënjyer qytetarët e Kosovës duke iu thënë se në Bruksel po nënshkruhen akte tradhtie kundër Republikës së Kosovës. Kurse sot krenohet duke thënë se asnjë pikë dhe asnjë presje nuk ua heq marrëveshjeve të Hashim Thaçit”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, bëri të ditur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Borrell tha se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.
Sipas Borrell kjo ishte një zgjidhje evropiane./Telegrafi/