Telegrafi

Gjoba 200 euro ndaj Hajdarit, reagon Mustafa: Roja e pyllit me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 200 euro gjobë ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, për një aksident që kishte shkaktuar në trafik me ç’rast kishte goditur një fëmijë.

Mustafa duke ironizuar ka thënë se “roja e pyllit me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë!”.

Lexo po ashtu Ministrja Hajdari gjobitet me 200 euro, aksidentoi me veturë një fëmijë

“Ministrja e shkelë me veturë një vajzë 9 vjeçare, dënohet 200 euro. Kaq ka vlerë për ta një fëmijë, 200 euro”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, deputeti i LDK-së është shprehur se dorëheqja e kësaj ministre nuk mjafton.

“Jeni mbuluar kokë e këmbë në turp! Të pafytyrë! E këta të flasin për kapje të shtetit e të gjykatësve. Këta të flasin për korrupsion. Vet janë të korruptuar edhe shpirtërisht! Plagosin fëmijë, e gjykatësit e kapur i dënojnë 200 euro!”, ka përfunduar Mustafa.

Më 10 prill të vitit 2022, ministrja Rozeta Hajdari ishte përfshirë në një aksident në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku për pasojë një fëmijë kishte pësuar lëndime trupore.

Për këtë aksident ajo është gjobitur me 200 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Po ashtu, Hajdari obligohet që të paguajë shumën prej 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe shumën prej 900 për super ekspertizë si dhe për ekspertizë mjeko – ligjore të paguajë shumën prej 50 euro. /Telegrafi/