Tottenham Hotspur ishte angazhuar shumë gjatë afatit kalimtar të janarit që ta kthente anësorin Gareth Bale, mirëpo me gjithë mbështetjen edhe të Jose Mourinhos, transferimi nuk ndodhi.
The Times ka raportuar se kryetari i Spursave, Daniel Levy, kishte udhëtuar drejt Madridit për t’u takuar me presidentin e Realit, Florentino Perez, me të cilin ka biseduar për uellsianin.
Madje u besua se i bë një përparim i madh disa orë para mbylljes së afatit të premten, megjithatë marrëveshja nuk u arrit.
Mirëpo, siç bën të ditur Daily Mail, hezitimi i Bale që të heqë dorë nga paga e majme (15 milionë euro neto), shkaktoi bllokimin e bisedimeve. Agjenti i tij nuk kishte dashur të bisedonte për këtë çështje.
Sipas tabloidit britanik, trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, i kishte ofruar mbështetje të plotë menaxhmentit të klubit për ta realizuar transferimin. Megjithatë, duke qenë se 30-vjeçari nuk hiqte dorë nga paga e tij dhe Spursat e dinin se nuk mund ta paguanin atë shumë, klubi anglez duhej të ishte kreativ në përgatitjen e ofertës.
Një prej opsioneve ishte që Tottenhami t’ia paguante Realit një shumë prej 53.5 milionë eurosh për lojtarin, të cilat pastaj do të shpenzoheshin nga Los Blancos për pagën e futbollistit për pjesën e mbetur të kontratës (deri në vitin 2022). Më pas, klubi i ri do t’ia jepte pagën totale prej 37 milionë eurosh të shpërndarë në dy vjet e gjysmë (pas vitit 2022).
Mirëpo, as kjo formulë nuk u pranua dhe në fund, financat e luajtën rolin vendimtar, prandaj Bale do të jetë pjesë e Mbretërve së paku deri në fund të sezonit aktual.
Kujtojmë që uellsiani i kaloi gjashtë vite te Spursat (2007-2013), ku regjistroi 203 paraqitje në të gjitha garat duke shënuar 56 gola. /Telegrafi/