Site icon Telegrafi

Gjithçka që ndodhi sot në takimet e Thaçit me liderët e partive politike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën gjatë ditës ka takuar liderët e partive politike në vend, me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror. Përveç liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, ftesës së presidentit iu përgjigjën të gjithë liderët e partive të tjera, përfshirë edhe ata të Listës Serbe. Ndërsa, e pakënaqur për mos ftesë nga presidenti ishte kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se Thaçi sot ka treguar se është gjithçka përveç unifikues.

Mëngjesin e së hënës, në ora 10:30, nisi takimi i parë i presidentit Thaçi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.

Në lidhje me këtë takim, Thaçi deklaroi se janë pajtuar me kreun e LDK-së të ndërtojnë dhe ruajnë qëndrim të përbashkët për çështjet me rëndësi për shtetin.

“Takimi me ish-kryeministrin dhe liderin e LDK-së, z. Isa Mustafa, ishte i shkëlqyer. Ne u pajtuam se duhet të ndërtojmë dhe ruajmë qëndrim të përbashkët në çështjet me rëndësi për shtetin. I jam mirënjohës z. Mustafa dhe LDK-së që gjithmonë kanë qenë konstruktivë në çështjet e shtetndërtimit”, u shpreh Thaçi, shkruan Telegrafi.

Takimi e dytë presidenti e pati me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin, për të cilin tha se qëndrimi i unifikuar si i pozitës, ashtu edhe i opozitës është thelbësor për realizimin e çështjeve të interesit të përbashkët.

“Shkëmbim të dobishëm kisha edhe me ish-kryeparlamentarin dhe liderin e tashëm të opozitës, z. Kadri Veseli. Qëndrimi i unifikuar i opozitës dhe qeverisë është thelbësor për realizimin e çështjeve të interesit të përbashkët”, tha Thaçi.

Në takim, Thaçi priti edhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, i cili u deklarua para medieve se ka nisur një iniciativë për të mbajtur një konferencë pune dy ditore me liderët e partive politike parlamentare, dhe se për këtë e ka informuar edhe presidentin Thaçi.

“Kam fillua një iniciativë për konsulta edhe vet me kryetarët e partive politike parlamentarë dhe kom propozuar që të takohemi një konferencë pune dy ditore në Kosovë që ti përafrojmë qëndrimet në rast të një ballafaqimi të Kosovës në një moment më final që të mos shkojmë të përçarë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se kjo do të ishte në interes që të ndodhte.

Lexo po ashtu Haradinaj flet pas takimit me Thaçin: Presidenti nuk tregoi ndonjë dokument nga takimet që kishte në SHBA

I pyetur se a tregoi presidenti ndonjë detaj rreth takimeve në SHBA, Haradinaj tha se presidenti nuk tregoi ndonjë dokument.

“Nuk ka nxjerrë ndonjë dokument, por ka treguar se është biseduar për mundësinë e ecjes përpara drejt një marrëveshje finale me Serbinë. Unë e informova se suksesi i një marrëveshje finale me Serbinë varet nga temat që trajtohen, Nëse trajtohet territori ose korrigjimi i kufijve atëherë ky proces do të ishte i dështuar, në rast se respektohet integriteti territorial dhe Kushtetuta e Kosovës atëherë ka shansa”, ka thënë Haradinaj.

Takimin me Haradinajn e komentoi edhe presidenti, duke e cilësuar bisedën me të si mjaft konstruktive.

“Bisedë konstruktive ishte edhe ajo me ish-kryeministrin dhe liderin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, i cili gjithashtu i dha përkrahje përpjekjeve për të ndërtuar qëndrim të përbashkët në çështjet e interesit shtetëror dhe e vlerësoj kontributin e tij në këtë drejtim”, u shpreh Thaçi.

Sa i përket takimit me liderin e NISMA-s, Fatmir Limajn, Thaçi u shpreh se janë pajtuar që të flasin njëzëri në çështjen e dialogut me Serbinë.

“Me ish-zëvendëskryeministrin dhe liderin e NISMA-s, z. Fatmir Limaj, u pajtuam që për Kosovën të flasim me një zë, sidomos në çështjen e dialogut me Serbinë”, tha Thaçi.

Lexo po ashtu Limaj deklarohet pas takimit me Thaçin

Pas takimit, Limaj ka thënë se me Thaçin kanë biseduar rreth dialogut Kosovë-Serbi, transmeton Telegrafi.

“Besoj se që nga momenti i letrës së presidentit Trump, gjërat kanë ndryshuar në procesin e dialogut. Fatkeqësisht, unë mendoj dhe e kam thënë edhe në vitin e kaluar, një pjesë e madhe e njerëzve nuk e kanë kuptuar drejt letrën për të kuptuar ndryshimin rreth dialogut Kosovë-Serbi. Besoj që është një lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën, përfshirja e SHBA-së, në dialogun me Serbinë. Gjithë skena politike, opinioni publik, kemi kërkuar në vazhdimësi involvimin direkt të SHBA-së në dialog. Involvimi i SHBA-së, në dialog është i rëndësishëm, sjell siguri”, ka thënë ai para mediave.

Limaj ka thënë se Nisma është që të ketë konsensus për tema nacionale dhe konsensus për dialog, por jo në shërbim të egove individuale.

Ndërsa, pas Limajt, Thaçi ka pritur në takim edhe një delegacion të Listës Serbe, ku tha se roli i komunitetit serb është i rëndësishëm për ndërtimin e një shteti shumetnik dhe për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

“Takim konstruktiv pata edhe me ministrin z. Dalibor Jevtiq, si dhe kryetarin dhe deputetin z. Goran Rakiq nga Lista Serbe. Roli i komunitetit serb është i rëndësisë së veçantë në ndërtimin e shtetit shumetnik dhe në arritjen e marrëveshjes historike në mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi.

Gjithashtu, ai takoi edhe grupin e deputeteve 6 Plus, dhe disa komunitete tjera.

Lexo po ashtu Thaçi takon edhe komunitetet

“Edhe në takim me grupin 6 Plus dhe deputetët e komuniteteve tjera u konfirmua se përmirësimi i jetës së qytetarëve është interes i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë i hapë rrugë zhvillimit dhe përmirësimit të mirëqenies qytetare. Paqja është në interesin e të gjithëve”, tha Thaçi.

E për takimin e kryetarin e AKR-së ai tha se kanë biseduar përmes telefonit, pasi e kanë pasur të pamundur takimin personalisht.

Në anën tjetër, edhe pse kishte konfirmuar ftesën qysh të premten, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albon Kurti nuk shkoi në takim me presidentin.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë treguar pse Kurti ka refuzuar ftesën e Thaçit.

Lexo po ashtu Lëvizja Vetëvendosje tregon arsyet pse Kurti nuk i shkoi Thaçit në takim

“Kryeministri Kurti ka deklaruar tashmë arsyet e mospjesëmarrjes në takimin me presidentin: e para ishte për faktin se sot pati deklarimin e saj në Kuvend Vasfije Krasniqi-Goodman, dhe e dyta sot presidenti paska takuar krerët e partive politike. Në këtë linjë ai ka deklaruar që si kryetar i VV nuk as interes as gatishmëri ta takojë presidentin, ndërkaq si kryeministër e ka obligim dhe këtë do ta të bëjë në një moment tjetër”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Lexo po ashtu Thaçi flet për mos takimin me Kurtin: Kosova nuk ka kohë për të humbur me teket e askujt

E pakënaqur me këto ftesa u shpreh edhe kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila, e cila nuk ishte ftuar fare nga presidenti Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka thënë se presidenti Thaçi nuk e kishte konsideruar të denjë zyrtarisht një grua kryetare, ish – zv/Kryeministre me titull ashtu si i kishte karakterizuar burrat kryetar të partive që i kishte ftuar, me tituj të posteve që i kanë mbajtur më herët.

“Sot e kuptova se Presidenti i vendit nuk e konsideron të denjë zyrtarisht një grua Kryetare të partisë Alternative, ish – zv/Kryeministre me titull ashtu si i kishte karakterizuar burrat kryetar të partive që i kishte ftuar, me tituj të posteve që i kanë mbajtur më herët”, shkruan Kusari-Lila.

Ajo shtoi tutje se me veprimin e tij sot, Thaçi sot ka treguar se është gjithçka përveç unifikues.

“Nëse Presidenti i vendit e konsideron veten dhe rolin e tij si faktor unifikues për vendin, atëherë sot si shumëherë tjera ai dhe kabineti i tij e treguan se çdo gjë mund të jenë, vetëm unifikues jo. Nuk e di se çfarë mund të ishte aludimi i tyre për këtë mosftesë, por duke e ditur se gjithmonë sigurohen të jenë të “mbuluar me letra”, i këshilloj të verifikojnë në KQZ kënd e përfaqësoj unë”, shkruan liderja e partisë Alternativa.

Lexo po ashtu Reagon Mimoza Kusari pasi që Thaçi nuk e ftoi në takim

Sipas saj, mos përfshirja e saj në këto takime, tregon hipokrizinë e retorikës për gjithpërfshirje të grave në jetën politike.

“Ashtu sikur edhe shumë raste tjera në Kosovë, kjo situatë e tregon hipokrizinë e retorikës për gjithëpërfshirje të grave në jetën politike nga Presidenti i vendit. Alternativa është parti e re, ende e vogël, por ndikimin në raste të caktuara mund ta ketë tepër të madh për ndryshimet në Kosovë. Ky postim nuk e paragjykon pjesëmarrjen apo mos pjesëmarrjen time në ftesën eventuale. Ky reagim ka për qëllim të tregojë gabimin e kabinetit dhe të Presidentit për trajtimin e gruas në politikën Kosovare”, thuhet në reagimin e Kusari-Lilës. /Telegrafi/

Exit mobile version