Ka përfunduar edhe zyrtarisht sezoni 2018/2019 i Ipko Superligës së Kosovës në futboll me Feronikelin që u shpall kampion.
Ky sezon i ligës së Kosovës do të mbahet gjatë në mend, pasi askush nuk ka arritur deri më tani që të arkëtojë 80 pikë, e që këtë e bëri skuadra nga Drenasi.
Feronikeli ishte në një garë të ashpër me Prishtinën dhe Llapin, duke bërë që titulli të vendoset në xhiron e fundit, e që njëherësh mblodhi edhe një numër të lartë të tifozëve në stadium.
Xhiroja e fundit për titull që u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, mori vëmendje të madhe, pasi Feronikeli dhe Prishtina kishin vetëm dy pikë dallim dhe do të vendosej se kush do të shpallej kampion i Ipko Superligës së Kosovë.
‘Xehetarët’ ishin dukshëm më të mirë se bardhekaltit, duke dominuar në të dyja pjesët e ndeshjes. Prishtina kishte njërën ndër paraqitjet më të dobëta të këtij sezoni, duke mos arritur të bënin asnjë gjuajtje në portë deri në minutat e fundit.
Feronikeli arriti të shpallej kampion i Superligës, me golin e vetëm të shënuar në ndeshje nga Yll Hoxha që realizoi në minutën e 73-të në portën e Visar Bekajt.
Por, përveç garës së zjarrtë që u zhvillua për titull, një gjë e tillë ndodhi edhe për mbijetesën në Superligë, ku luftuan plotë katër skuadra.
Ballkani, Drenica, Flamurtari dhe Ferizaj, arritën ta siguronin qëndrimin në Superligë vetëm në xhiron e fundit, duke shfaqur një rivalitet tejet të madh.
Drita kishte një fillim të mbarë në këtë sezon, por që më pas u tërhoq nga gara për titull, por që arriti ta siguronte herët qëndrimin në ligë.
Sezon më i vështirë ishte për Trepça ’89, Gjilanin, Lirinë dhe KEK-un, pasi u renditën në katër vendet e fundit të tabelës.
Skuadra mitrovicase dhe ajo gjilanase nuk arritën t’i shpëtonin barazhit, duke bërë që të zhvillojnë përballje shtesë për të shpresuar qëndrimin në Superligë në javët e ardhshme.
Liria dhe KEK-u, kishin një sezon për t’u harruar, pasi nuk arritën të mbijetonin në Superligë, duke bërë që në sezonin e ri të luajnë në Ligën e Parë të Kosovës.
/Telegrafi/