Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino i ka lënë derën hapur nënshkrimit të mesfushorit të Manchester United, Paul Pogba.
PSG ka qenë klubi më aktiv në botë për transferime gjatë këtij afati kalimtar pasi ka transferuar si lojtarë të lirë emra si Lionel Messi, Gianluigi Donnarumma, Sergio Ramos dhe Georginio Wijnaldum, teksa ka blerë edhe Achraf Hakimin.
Megjithatë, drejtuesit e klubit nga kryeqyteti i Francës nuk duan të ndalin transferimet me kaq, pasi janë lidhur edhe më një transferim të yllit francez, Pogba.
Pogba ka vetëm edhe një vit kontratë me klubin nga Old Trafford, ndërsa për një transferim të mundshëm të tij ka folur edhe trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino.
“Ardhja e një mesfushori si Pogba? Ne e dimë se në futboll gjërat mund të ndodhin, situatat kthehen”, ka thënë fillimisht Pochettino.
“Një klub si PSG është gjithmonë i hapur për të përmirësuar fuqinë punëtore. Një sektor ku ne duhet të forcohemi si prioritet për mua? Nuk do ta them publikisht. Asnjëherë”.
“Unë do t’i them (drejtorit sportiv) Leonardos së pari, i cili do t’i tregojë presidentit tonë. Nëse e them kështu, do të ketë një tërmet dhe probleme”, përfundoi trajneri i PSG-së. /Telegrafi/