Kai Havertz është një lojtar i ri i Arsenalit, por duhet pritur edhe pak deri te zyrtarizimi.
Mesfushori ofensivë gjerman ka qenë objektivi kryesor i Topçinjve, por duket se gjithçka tani është kryer me sukses sa i përket transferimit të tij në Emirates Stadium.
Ka qenë gazetari Fabrizio Romano që ka konfirmuar se tanimë palët kanë nënshkruar edhe kontratat.
“Kai Havertz ka nënshkruar të hënën të gjitha dokumentet si lojtar i ri i Arsenalit”, ka shkruar Romano duke shtuar se edhe dy klubet kanë nënshkruar të gjitha.
“Arsenali dhe Chelsea gjithashtu kanë nënshkruar të gjitha kontratat të dielën. Deklarata e klubit së shpejti”, ka raportuar Romano në profilin e tij në Twitter.
Besohet se transferimi i mesfushorit gjerman do t’i kushtojë Arsenalit 70 milionë euro, edhe pse Chelsea kishte kërkesa më të larta.
Megjithatë Havertz ka kryer punë të madhe, pasi kishte arritur marrëveshje më herët me Arsenalin dhe i ka bërë presion të madh Chelseat që ta pranojë ofertën. /Telegrafi/