Site icon Telegrafi

Gjithçka çfarë duhet të dini për balonën e Pejës – atraksionin e ri turistik në Kosovë!

Pak ditë më parë, në qendër të qytetit të Pejës u promovua aktiviteti i balonës me ajër të nxehtë nën praninë e mediave, qytetarëve, zyrtarëve nga Aviacioni Civil, ambasadorëve të ndryshëm, Policisë së Kosovës, Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, etj.

Duke bërë bujë të madhe në media e rrjete sociale, kjo balonë gjigante ngjalli shumë interesim, vëmendje e dëshirë!

Me mbështetje të madhe nga Komuna e Pejës, ky produkt i ri turistik e aventuresk pritet të ndikojë në rritjen e turizmit duke e bërë qytetin e Pejës të vetmin në Kosovë që e ofron këtë aventurë.

Balona me ajër të nxehtë fluturon deri në 1,000 metra lart, duke ofruar pamje piktoreske të qytetit dhe rrethinës së Pejës, të burimit të Drinit të Bardhë, Lumbardhit, etj.

Lendita Muhaxheri, Drejtoreshë për Zhvillimin Ekonomik në Komunën e Pejës, për Telegrafin ka deklaruar se ndihet tejet e kënaqur që më në fund është jetësuar ky produkt me mbështetje nga komuna, duke u shprehur optimiste për ndikimin pozitiv që do ta ketë në rritjen e turizmit.

Në foto: Lendita Muhaxheri

Ajo po ashtu tregon se balona do të jetë aktive gjatë tërë vitit dhe do të operojë dy herë në ditë – varësisht nga era dhe ajëri, të cilët janë faktorët kyç në fluturimin e balonës.

Veç kësaj, Muhaxheri tregon se kjo nuk do të jetë balona e vetme, pasi që deri vitin e ardhshëm planifikohet të shtohen edhe 2 balona tjera.

Në foto: Gi Sanka

Për Telegrafin ka folur edhe piloti francez Gi Sanka, i cili vullnetarisht ka ardhur në Kosovë për të ndihmuar në zhvillimin e këtij produkti.

Gi Sanka është shprehur tejet i kënaqur me mikpritjen që i është bërë në Kosovë, duke shtuar se me balon ai ka fluturuar në 25 shtete të ndryshme dhe i numëron mbi 2,200 orë fluturimi.

Përndryshe, për të rezervuar një fluturim me këtë balonë apo për të marrë më shumë informacione, kontaktoni Drejtorinë për Zhvillimin Ekonomik të Komunës së Pejës duke klikuar KËTU.

Exit mobile version