Telegrafi

Gjini: AAK nuk është për rrëzimin e Qeverisë

Nënkryetari i AAK-së, njëkohësisht kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë se për shkak të situatës në të cilën ndodhet procesi i dialogut, kjo parti aktualisht nuk mbështetë rrëzimin e qeverisë, pavarësisht se sipas tij Kosova nuk po qeveriset mirë në aspektin e brendshëm.

Gjini ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është kryeministër i mirë dhe se sipas tij në shumë çështje ka qenë skandaloz.

Sipas tij ka në shumë aspekte, Kurti dhe Qeveria e tij, është më skandalozja që e ka pasur ndonjëherë Kosova.

“Në aspektin ekonomik, në aspektin e politikave të jashtme, në aspektin e politikave sociale, në aspektin e politikave zhvillimore është qeveria më skandaloze që e ka pas Kosova deri më tash. Duhet me kuptua që nuk ka asgjë në këtë botë bardhë e zi, jemi duke e ditë që e ka gabim në të gjitha çështjet e brendshme”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu Gjini: Rruga e Kurtit për ta përça SBASHK-un është e gabuar

Mirëpo ai ka thënë se partia e tij i ka ofruar mbështetje Kurtit për ta arritur një marrëveshje me Serbinë, sepse sipas tij qeveria aktuale i ka numrat e duhur në parlament për ta bërë një gjë të tillë.

Nënkryetari i AAK-së ka thënë se me greva nuk rrëzohet një qeveri dhe sipas tij këtë punë mund të bëjë Kuvendi.

“Nuk e di nëse ka ndonjë konspiracion, mirëpo AAK nuk mendon se duhet rrëzuar Qeveria tash. Ne mendojmë se Qeveria duhet të arrijë marrëveshjen finale me Serbinë për njohje reciproke. Të gjitha çështjet tjera mund të presin, por kjo nuk pret. Me marrëveshje për njohje reciproke Kosovës duhet t’i hapet rruga për anëtarësim në NATO, në një afat tjetër edhe anëtarësim në BE. Kjo është ajo çfarë ne po kërkojmë. Nuk po duam rrëzimin e Qeverisë tash”, deklaroi Gjini./Telegrafi/