Ende nuk dihet kur do të zhvillohet ndeshja e javës së parë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit.
Pasi ndeshja nuk u zhvillua të hënën, për shkak se ende nuk është bërë pranimi teknik i stadiumit në Prishtinë, gjilanasit dorëzuan ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kërkuan që tri pikët nga kjo ndeshje t’u takojnë atyre.
Megjithatë, sot ka pasur edhe një vendim tjetër nga skuadra gjilanase.
“Sot në orët e pasdites me kërkesë të kryetarit të FFK-së, z. Agim Ademi është zhvilluar një takim mes tij dhe kryetarit të SC Gjilani z.Florim Zuka. Temë diskutimi në ketë takim ishte shtyrja e ndeshjes në mes të FC Prishtinës dhe SC Gjilanit. Pas kërkesës së z. Ademi , kryetari Florim Zuka ka marrë vendim që SC Gjilani të tërhiqet nga ankesa dhe të pranojë zhvillimin e ndeshjes në një orar të përshtatshëm për të dy ekipet.
Shtyrja e kësaj ndeshjeje ka qenë tërësisht e kundërligjshme dhe e drejta është në anën e SC Gjilanit, mirëpo për hir të zhvillimit sa më normal të kampionatit dhe për respektin ndaj kryetarit të FFK-së z. Ademi, SC Gjilani tërhiqet nga ankesa me bindje se situatat e tilla nuk do të përsëritën më.
Kryetari Zuka falënderon të gjithë ‘Skifterat’ për mbështetjen e parezervë që i kanë ofruar ekipit gjatè tërë kohës.
Bashkë drejt sukseseve…”, thuhet në njoftimin e SC Gjilani. /GazetaSheshi/