Gjilani është rikthyer te fitoret pasi ka mposhtur Feronikelini ’74 me rezultat të ngushtë 2-1.
Gjilani kishte më shumë nga loja në pjesën e parë duke krijuar disa raste të mira shënimi.
Edi Basa dhe Redon Ismaili krijuan raste të mira shënimi, por pa arritur ta dërgojnë topin në rrjetë.
Në minutën e 36-të ndeshja u ndërpre për disa minuta, pasi Lapidar Lladrovci ndërhyu në zonë në Redon Ismailin, por përkundër rishikimit disa herë në VAR gjyqtari nuk akordoi penallti.
Megjithatë Gjilani gjeti golin e epërsisë në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.
Super talenti gjilanas, Redon Ismaili asistoi për mrekulli te mbrojtësi i majtë Qëndrim Ismajli i cili realizoi për 1-0.
Me epërsinë minimale të vendasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj ndeshje.
Pjesa e dytë nisi më mirë për mysafirët të cilët në minutën e 56-të patën rast të artë shënimi, me Jakpup Berishën që goditi shtyllën.
Megjithatë tetë minuta më vonë, Gjilani gjeti edhe golin e dytë në këtë sfidë.
Valmir Nafiu harkoi bukur në zonë derisa sulmuesi Milev realizoi gol të bukur me kokë për 2-0.
Krejt në fund të ndeshjes, Alban Shillova realizoi golin e vetëm mysafirët për rezultatin përfundimtar 2-1.
Me këto tre pikë, Gjilani ngritët në pozitën e gjashtë në tabelë me 14 sosh, derisa Feronikeli ’74 mbetet në pozitën e tetë me 11 pikë. /Telegrafi/