Gjilani ka vazhduar me fitore në BKT Superligë, teksa ka mposhtur Feronikelin me rezultat minimal 1-0.
Gjilani e nisi për mrekulli ndeshjen duke krijuar disa raste të mira shënimi, por pa gjetur golin.
Skuadra e Ismet Munishit krijoi disa raste me Blerim Krasniqin e Fiton Hajdarin, por portieri Florian Smakiqi ishte në vend.
Në minutën e 27-të, vendasit gjetën golin me Albert Dabiqajn, por pas rishikimit në VAR, goli u anulua.
Përkundër dominimit të madh të Gjilanit, 45 minutat e para përfunduan pa gola 0-0.
Edhe në pjesën e dytë vazhdoi dominimi i vendasve, kur golin e gjetën në minutën e 64-të.
Armend Halili asistoi për mrekulli te Blerim Krasniqi i cili realizoi me kokë golin e parë në BKT Superligë për 1-0.
Deri në fund, si vendasit ashtu edhe mysafirët patën disa raste shënimi, por pa pasur më gola dhe Gjilani mori tri pikë tejet të rëndësishme nga kjo përballje.
Me këtë fitore, Gjilani ngjitet në vendin e parë në tabelë me 20 pikë, një më shumë se Drita që është e dyta.
Ndërkohë Feronikeli pas kësaj humbje zbret në pozitën e fundit në tabelë me 10 pikë.
Në xhiron e ardhshme Gjilanin e pret një udhëtim i vështirë, pasi në Klinë do të përballet me Dukagjinin.
Ndërkohë Feronikeli do të luaj në Drenas ku do të jetë nikoqir i Llapit. /Telegrafi/