Site icon Telegrafi

Gjilani merr një fitore të madhe te Feronikeli dhe vazhdon luftën për titull

Gjilani ka shënuar një fitore të madhe me rezultat 2-0 në udhëtim te Feronikeli në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Klubi gjilanas i është kthyer fitores në kampionat duke mposhtur klubin nga Drenasi, pas barazimit dëshpërues në shtëpi ndaj Llapit në ndeshjen e fundit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por ishin vetëm mysafirët që gjeten golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 23-të dhe ishte Sebino Plaku, i cili shënoi nga distanca për 0-1 falë një gabimi amator të portierit Deniz Jacek Troshupa.

Në pjesën e dytë, Nikli provoi të kthehet në lojë, por pa sukses, ndërsa mysafirët arritën ta shënojnë edhe një gol dhe ta sigurojnë fitoren.

Goli i vetëm në pjesën e dytë erdhi në minutën e 70-të dhe ishte Muhamed Useini, i cili shënoi përsëri falë ndihmës së portierit Troshupa dhe vulosi fitoren 0-2.

Pas kësaj fitore, Gjilani e sheh veten në pozitën e katërt me 55 pikë apo tri më pak se lideri Drita, ndërsa Feronikeli renditet i pesti me 44 pikë.

Në ndeshjen e radhës, ‘Skifterat’ luajnë ndaj Prishtinës në shtëpi, ndërsa Nikli udhëton te Drita. /Telegrafi/

Exit mobile version