Mbrojtësi i majtë i Juventusit, braziliani Alex Sandro vazhdon të mbetet në radarin e klubeve të mëdha angleze që duan shërbimet e tij.
Alex Sandro po tregon formë të madhe në dy sezonet e fundit me Zonjën e Vjetër, duke bërë që shumë skuadra të vihet pas tij.
Sipas mediumit italian Tuttomercatoweb, Chelsea dhe Manchester City mbeten të etur për të nënshkruar me Sandron.
Mbrojtësi brazilian ishte i lidhur fort me një lëvizje në Ligën Premier gjatë verës me trajnerin e Chelseat, Antonio Conte, që ishte i etur për të nënshkruar me atë.
Megjithatë, Juventusi po ngurron të shes mbrojtësin dhe qëndrimi i tyre nuk ka gjasa të ndryshojë në afatin kalimtar të janarit.
City dhe Chelsea kanë një shans më të madh për të bërë biznes me kampionët e Serie A vetëm verën e ardhshme.
Por, ka të ngjarë që Sandro edhe të rinovoj kontratën pasi Juventusi i ka ofruar përmirësim të ndjeshëm të pagës dhe kontratë deri më 2022.
Çmimi i mbrojtësi brazilian në treg mendohet të jetë rreth 60 milionë euro. /Telegrafi/