Telegrafi

Gjermania do t’i ofrojë Varshavës sistemin Patriot, pas rrëzimit të një rakete në Poloni javën e kaluar

Gjermania i ka ofruar Varshavës sistemin e mbrojtjes raketore Patriot për ta ndihmuar atë të sigurojë hapësirën e saj ajrore.

Kjo është bërë e ditur nga ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht për një gazetë të dielën dhe vendimi vjen pas rrëzimit të një rakete në Poloni javën e kaluar.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Qeveria gjermane kishte thënë tashmë se do t’i ofronte fqinjit të saj ndihmë të mëtejshme në “vëzhgimin” ajror me Eurofighters gjermanë pas incidentit, i cili fillimisht ngriti frikën se lufta në Ukrainë mund të shpërndahej përtej kufirit.

“Ne i kemi ofruar mbështetje Polonisë në sigurimin e hapësirës ajrore – me Eurofighters tanë dhe me sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot”, tha Lambrecht për Rheinische Post dhe General Anzeiger.

Raketa që goditi Poloninë javën e kaluar, duke vrarë dy persona, duket se ishte gjuajtur nga mbrojtja ajrore e Ukrainës dhe jo nga një sulm rus, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sistemet e mbrojtjes ajrore me bazë tokësore si Raytheon’s Patriot janë ndërtuar për të “kapur” raketat që vijnë.

Ndryshe, NATO ka bërë lëvizje për të forcuar mbrojtjen ajrore në Evropën Lindore që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt.

Më shumë se një duzinë aleate të NATO-s të udhëhequr nga Gjermania në tetor filluan një iniciativë për të blerë së bashku sistemet e mbrojtjes ajrore për disa shtresa kërcënimesh, duke përfshirë Patriot. /Telegrafi/