Site icon Telegrafi

Gjermania do të blejë tre sisteme raketore amerikane Himars për Ukrainën

Gjermania do të blejë tre sisteme amerikane Himars dhe do t’i transferojë ato në Ukrainë, ka njoftuar Ministri gjerman i Mbrojtjes gjatë një vizite në Uashington.

“Unë mund ta konfirmoj se ne do të transferojmë tre sisteme raketore Himars në Ukrainë në bashkëpunim me amerikanët. Ato vijnë nga stoqet e forcave të armatosura amerikane”, tha Boris Pistorius.

Pistorius theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit midis BE-së dhe SHBA-së për dërgimin e armëve dhe furnizimeve që i nevojiten Ukrainës për të zmbrapsur pushtuesit rusë.

Siç raportohet, Ukraina zotëron tashmë 39 sisteme Himars, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu SHBA njofton paketën e radhës 370 milionë euroshe për Ukrainën

Por, ende nuk ka ndonjë shenjë se qeveria gjermane do t’i sigurojë Kievit Taurus, sistem ky i fuqishëm raketor me rreze të gjatë, i cili do t’i ndihmonte forcave ukrainase për të goditur thellë brenda Rusisë.

Ndryshe, Pistorius tha se ushtria gjermane ka nevojë për investime të mëtejshme për ta bërë atë një forcë kryesore të mbrojtjes evropiane në të ardhmen e afërt.

“Problemi është se nevojiten para për Bundeswehr-in, ose përndryshe vitin e ardhshëm dhe në vitet në vijim do të kemi një ngrirje të armëve”, tha Pistorius.

“Kjo me të vërtetë nuk do të ishte një shenjë e mirë për aleatët tanë, por as për aftësitë tona të mbrojtjes”. /Telegrafi/

Exit mobile version