Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës një paketë të re armësh me vlerë 700 milionë euro, tha sot ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius përpara samitit të NATO-s në Vilnius.
“Gjermania do t’i vërë në dispozicion Ukrainës 40 transportues të tjerë të blinduar Marder, 25 tanke Leopard I dhe sistemet e reja të mbrojtjes ajrore Patriot”, tha Boris Pistorius përpara se të nisej për në Vilnius, transmeton Telegrafi.
Krahas këtij armatimi është planifikuar edhe dërgimi i një sasie të madhe të municionit, dronëve dhe pajisjeve logjistike.
“Me këtë paketë, Gjermania po kontribuon në qëndrueshmërinë e Ukrainës në luftën mbrojtëse kundër sulmit rus”, tha Pistorius.
Ministri gjerman i Mbrojtjes tha se Gjermania, duke pasur parasysh nevojat e shtuara të partnerëve të NATO-s, vë në dispozicion dy aeroplanë transportues. Kancelari gjerman Olaf Scholz (SPD) dhe Boris Pistorius do të shpallin zyrtarisht një paketë të re ushtarake për Ukrainën menjëherë në fillim të samitit në Vilnius.
Që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, Gjermania ka miratuar 3.9 miliardë euro për dërgesat që kërkojnë lejen e qeverisë gjermane, kryesisht armë.
Dërgesat që nuk kërkojnë miratim, të tilla si ndihma mjekësore, nuk përfshihen. Pas SHBA-së, Gjermania është furnizuesi më i madh i armëve në Ukrainë.
Sipas sondazheve të fundit të opinionit publik, 38 për qind e gjermanëve nuk e mbështesin dorëzimin e armëve në këtë sasi, ndërsa 18 për qind besojnë se edhe më shumë armë duhet të dërgohen në Ukrainë. /Telegrafi/