Arbnor Muja ka folur për pritshmëritë që ai ka me Kombëtaren e Shqipërisë në Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’.
Kuqezinjtë arritën kualifikimin e dytë në histori, derisa në Euro 2024 pritet të jetë një kombëtare shumë më e fortë se ajo e vitit 2016 dhe synime të tjera, që janë për ta kaluar grupin.
Kombëtarja shqiptare ndodhet në vazon e dytë dhe Muja ka thënë se trajneri Sylvinho ka kërkuar që të kalohet grupi pasi nuk do të shkojnë si turistë në Gjermani.
Kënga ‘Gjermania nuk është si përpara’ është bërë hit në zhveshtoren e Kombëtares, derisa vet Muja ka thënë se viti 2024 do të jetë kaos pasi shqiptarët do ta pushtojnë shtetin gjerman.
“Qysh tani kam marrë qindra mesazhe nga familjarë, shoqëri e njerëz që i njoh për bileta. Gjermania do të pushtohet nga shqiptarët dhe do të jetë një kaos total, aq sa do të jenë në stadium aq do të mbeten edhe jashtë pasi sigurisht që numri do të jetë shumë i madh”, tha Muja për Telegrafin.
“Ne nuk do të shkojmë si turistë në Gjermani. Pasi kemi fituar grupin në kualifikime, tani synimi i të gjithëve është që të kalojmë edhe grupin në Euro 2024”, deklaroi ylli mitrovicas për Telegrafin nga Hamburgu i Gjermanisë. /Telegrafi/