Gjermania i ka dhënë Izraelit lejen për të përdorur dy dronë luftarakë Heron TP në luftën e tij kundër grupit militant palestinez Hamas, raportoi të mërkurën revista gjermane Der Spiegel.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Gjermania kishte marrë me qira dy dronët luftarakë të prodhuar nga Izraeli për të trajnuar 16 pilotë të mundshëm gjermanë të dronëve në Izrael.
Por të trajnuarit ushtarakë tani po kthehen në Gjermani për shkak të sulmeve të Hamasit.
Në këtë drejtim, bëhet e ditur se ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius miratoi të mërkurën një kërkesë të Izraelit për përdorimin e dronëve gjatë fundjavës, tha Der Spiegel, i cili nuk specifikoi burimet e tij.
Ndërsa një zëdhënëse e ministrisë së mbrojtjes në Berlin tha se ajo nuk mund të komentonte menjëherë raportin e Spiegel.
Numri i të vdekurve të Izraelit u rrit në 1,200 të mërkurën me mbi 2,700 të plagosur, tha ushtria e tij, nga sulmet disa-orëshe të militantëve të Hamasit pas “thyerjes së gardhit” që rrethonte Gazën.
Ndërsa sulmet izraelite në Gazën e bllokuar kanë vrarë 1,100 njerëz dhe kanë plagosur 5,339, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës. /Telegrafi/