Telegrafi

Gjermania fillon ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm natyror

Gjermania konfirmoi sot fillimin e punës për ndërtimin e terminalit të saj të parë të gazit të lëngshëm natyror në qytetin port të Wilhelmshaven në rajonin e Saksonisë së Ulët.

Ndërtimi është pjesë e përpjekjeve të vendit për t’u bërë i pavarur nga gazi rus pas pushtimit të Ukrainës, por edhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian.

Gjermania po përpiqet të përshpejtojë ndërtimin e terminaleve për të importuar gaz nga vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“Ne kemi një mundësi të mirë për ta bërë atë që përndryshe është e pamundur në Gjermani – të ndërtojmë një terminal brenda rreth 10 muajsh dhe ta lidhim atë me gazin gjerman”, tha sot zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i ekonomisë, Robert Habeck teksa mbikëqyrte fillimin e punës.

Gjermania ka qenë nën presion nga Ukraina dhe vende të tjera evropiane për të ndërmarrë hapa që të heqin dorë nga furnizimet ruse me energji që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Habeck shtoi se ekonomia më e madhe evropiane ka reduktuar pjesën e importeve ruse të energjisë nga 35 në 12 për qind për naftën, nga 50 në 8 për qind për qymyrin dhe nga 55 në 35 për qind për gazin natyror.

Gjithashtu, nëse Rusia ndërpret furnizimin me gaz, Gjermania do të humbiste 220 miliardë euro. Për këtë arsye autoritetet e këtij vendi kanë vendosur të ndërmarrin hapa më intensivë dhe konkretë për të shmangur pasojat katastrofike. /Telegrafi/