Site icon Telegrafi

Gjeologu italian për tërmetin në Turqi: Toka lëvizi tri metra në disa dhjetëra sekonda

Carlo Doglioni, kreu i Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, ka bërë disa deklarata befasuese në lidhje me tërmetin me magnitudë 7.7 që goditi Turqinë dhe epiqendra e të cilit ishte Kahramanmaraş.

Dhe duke folur për mediat italiane, Carlo Doglioni raportoi se “toka u zhvendos 3 metra”, pas tërmetit në Turqi, deklaratë që është publikuar edhe nga mediat turke, përcjell Telegrafi.

Deklarata vjen nga Italia, nga ku, pas tërmetit është lëshuar edhe paralajmërimi për cunami ndërsa në jug të Italisë është bërë deklarata “mos iu afroni plazheve” – por që autoritetet italiane e hoqën pas pak kohësh.

I njohur si numri një i institucionit dhe një nga figurat më të njohura në vend, shkencëtari tha: “Ky rajon është një rajon me aktivitet shumë të lartë sizmik. Turqia lëvizi 3 metra në pak sekonda në vijën e thyerjes prej 150 kilometrash”.

Lexo po ashtu Fat në fatkeqësi - disa nga njerëzit që u shpëtuan pasi qëndruan nën rrënoja për më shumë se 20 orë, pas tërmetit shkatërrues në Turqi

“Ndodhi që ajo që ne e quajmë pllaka arabe të lëvizte rreth 3 metra përgjatë një drejtimi verilindje-jugperëndim në lidhje me pllakën e Anadollit”, ka thënë ndër tjerash ai.

Edhe Carlo Doglioni konfirmoi pamundësinë për të bërë parashikime.

“Për fat të keq, ne ende nuk jemi në gjendje të parashikojmë tërmetet”, shpjegoi gjeologu për Sky TG24.

Dhe më pas ai shtoi: “Por këto imazhe dramatike, të tmerrshme na kujtojnë se është thelbësore të jemi të vetëdijshëm se mund të ketë një tërmet dhe se prandaj duhet të ndërtojmë në një mënyrë antisizmike. Parandalimi është arma e parë kundër tërmeteve. Edhe nëse një ditë do të mund t’i parashikojmë, gjëja më e rëndësishme do të jetë të kemi shtëpi të sigurta”.

Ndryshe, mbi 5 mijë vdekje janë konfirmuar tani në Turqi dhe Siri pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë që tronditi rajonin të hënën. /Telegrafi/

Exit mobile version