Telegrafi

Gjenerali publikon pamjet e një sulmi: Shkatërruam anijen e re të ushtrisë ruse

Raketa e ushtrisë ukrainase ka shkatërruar anijen e re të marinës ruse në qytetin e Kerchit në gadishullin e Krimesë, kanë njoftuar sot forcat ajrore ukrainase.

Gjenerali Mikola Oleshchuk në kanalin e tij në Telegram, ka publikuar pamjet e sulmit në kantierin e ndërtimit të anijeve Zalii në Kerch në lindje të gadishullit, transmeton Telegrafi.

Edhe mediat ruse kanë raportuar për sulmin, duke cituar burime brenda ministrisë ruse të Mbrojtjes në Moskë.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax shkruan se kantieri i ndërtimit të anijeve është sulmuar të shtunën mbrëma.

Nga 15 raketat e lansuara në këtë drejtim, 13 prej tyre janë shkatërruar nga mbrojtja kundërajrore, duke konfirmuar nga ministria ruse se është dëmtuar një anije.

Kantieri i ndërtimit të anijeve Zalii është një prej më të mëdhenjve në lindje të Evropës. Është nën sanksionet e vendeve perëndimore.

Oleshchuk pretendon se anija është dashur të dërgohet në Detin e Zi, për të lansuar raketa drejt territorit të Ukrainës. /Telegrafi/