Telegrafi

Gjendje e mjerueshme në futbollin ukrainas, por nuk po e bën vetëm agresioni rus – shefi i Shakhtarit thotë se agjentët po e shkatërrojnë klubin e tyre

Shefi ekzekutiv i Shakhtar Donetsk, Sergei Palkin, ka kritikuar agjentët që ai pretendon se po shfrytëzojnë luftën në Ukrainë për përfitimin e tyre duke ‘vjedhur’ lojtarët dhe duke kërkuar që tarifat t’u paguhen drejtpërdrejt atyre dhe jo klubit.

Në një intervistë me The Athletic, Palkin tha se ‘disa agjentë po na shkatërrojnë’ dhe gjithashtu sulmoi FIFA-n për lejimin e lojtarëve të huaj në Ukrainë dhe Rusi të pezullojnë kontratat e tyre deri në qershor të vitit 2023, duke u mundësuar atyre të paraqiten për skuadrat e tjera.

Futbolli ukrainas është zhytur në krizë pas pushtimit të plotë të vendit nga Rusia në shkurt.

Lexo po ashtu Drejtori ekzekutiv i Shakhtar Donetsk, Palkin konfirmon vrasjen e njërit nga trajnerët e klubit nga sulmet ruse

Liga më e lartë e vendit fillimisht u pezullua dhe më pas u mbyll më 27 prill për shkak të luftës së vazhdueshme.

Andriy Pavelko, president i Shoqatës së Futbollit të Ukrainës, tha në fillim të këtij muaji se liga do të rifillojë në gusht, megjithëse disa nga stadiumet janë dëmtuar nga lufta dhe nuk ka asnjë garanci që gara do të zhvillohet siç ishte planifikuar.

Pavelko zbuloi gjithashtu se kishte zhvilluar bisedime me FIFA-n dhe UEFA-n për rifillimin.

Lexo po ashtu “I vetëm në Kiev”, brazilianët largohen nga Ukraina, por harrojnë në tualet shokun e tyre

“Të gjithë po përpiqen të përdorin këtë situatë”, deklaroi ai. “Kush po përpiqet më shumë? Agjentët”.

“Disa agjentë po na shkatërrojnë. Ata po përpiqen të vjedhin lojtarë. Ata luajnë lojëra, kontaktojnë klubet, thonë mos paguani (Shakhtarin) dhe marrëveshjet po prishen. Ju nuk mund ta imagjinoni se çfarë po ndodh”.

“Agjentët po vijnë në klube dhe po thonë: ‘Mos e paguani Shakhtarin, lojtarët do të bëhen të lirë, thjesht më paguani mua (agjentin) 10 milionë euro dhe harroni klubin’”.

Lexo po ashtu Nga një bunker i bodrumit të hotelit, te siguria në Bukuresht dhe nëpërmjet një udhëtimi 16 orësh me tren e autobus - si ia dolën yjet e Dynamos dhe Shakhtarit të largoheshin nga Ukraina

“Disa agjentë parashikuan që FIFA do të lëshojë një deklaratë për të parë që të gjithë lojtarët e huaj në Ukrainë janë të lirë. Nuk është e mundur. Ata po përpiqen të manipulojnë situatën”, ka shtuar më tej Palkin.

FIFA këtë javë rinovoi rregulloret e saj të përkohshme për lojtarët e huaj në Ukrainë dhe Rusi, të cilat pretendon se janë në fuqi për t’i mbrojtur ata. /Telegrafi/