Kryeministri Albin Kurti nesër do t’i takojë kryetarët e komunave të Kosovës për të diskutuar lidhur me gjendjen pandemike në vend.
Siç meson Telegrafi, takimi pritet të nis në ora 10:00.
Ndërkaq, vendimi për takim raportohet se erdhi pasi drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, reagoi më herët për neglizhencën e qeverisë për t’i bërë komunat pjesë të Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë.
Ibrahimi në një përgjigje për Telegrafin, ka thënë se është befasuese sesi Qeveria as nuk i ka kontaktuar për të diskutuar lidhur më këtë çështje.
“Si mundet një grup të quhet koordinues kur përfaqësuesit e komunave nuk janë aty. Nuk e di se si mund të harrohen (me qëllim apo pa qëllim) institucionet ku zbatohen masat”, tha Ibrahimi.
Tutje theksoi se masat kundër coronavirusit nuk zbatohen nëpër zyra e Qeverisë por nëpër komuna, aty ku ka zhvillim të jetës së qytetarëve.
“Masat anti-COVID nuk zbatohen nëpër zyrat e qeverisë por nëpër komuna sepse aty zhvillohet jeta e qytetarit e jo nëpër zyrat e qeverisë dhe pa bashkëpunim me komunat nuk e di se si mund të ketë sukses zbatimi i masave”, u shpreh Ibrahimi.
Ndryshe, të hënën Kosova ka regjistruar edhe 20 viktima si pasojë e COVID-19.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët paraprake janë regjistruar 932 raste të reja të të infektuarve me coronavirus./Telegrafi.