Site icon Telegrafi

Gjendja aktuale në futboll ishte ndër çështjet kryesore që u diskutuan në mbledhjen e KE të FFK-së

(Foto: ffk-kosova.com)

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së të martën mbajti mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për gjendjen në futbollin e Kosovës para fillimit të edicionit të ri të garave si dhe çështjet tjera me rëndësi.

KE analizoi gjendjen aktuale që është krijuar pas pandemisë COVID-19, duke kujtuar se me pandeminë gjendja vazhdon të jetë e rëndë dhe kjo po reflekton edhe në fillimin e garave për edicionin e ri.

Ndonëse më herët kishim marrë vendim që garat të fillojnë më 12 shtator, por në takimin e sotëm me institucionet e vendit u vendos shtyrja e kampionatit për një javë. Kjo gjendje ka vënë në vështirësi edhe aspektin financiar të klubeve, kështu që FFK-ja do të mundohet që t’i ndihmojë klubet brenda mundësive të veta buxhetore dhe përmes donatorëve tjerë, në mënyrë që të përballohet sa më lehtë kjo situatë – thuhet në njoftim.

KE analizoi edhe zhvillimin e dy ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve dhe ekipit U-21 duke konstatuar shumë mungesa të mëdha në përbërje për shkak të gjendjes së pandemisë, gjë që ka reflektuar edhe në rezultatet e synuara.

Por, KE konstatoi se organizimi i këtyre dy ndeshjeve ishte në nivel të lartë, por gjithsesi u ndje shumë mungesa e shikuesve. Tutje KE theksoi se tash prioritet i të gjithëve është ndeshja e ‘play-off’-it për kualifikim në Evropian kundër Maqedonisë së Veriut që do të zhvillohet në tetor.

KE shpreson që Kosova të jetë e kompletuar dhe mbase nuk do të dalin pengesa për shkak të gjendjes së Covid-19. KE miratoi edhe Listën e vëzhguesve dhe personave tjerë zyrtarë të ndeshjeve.

Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.

Exit mobile version