Trupi i pajetë i futbollistes shqiptare, Florijana Ismaili, është gjetur në fundin e Liqenit Como në Itali, kanë bërë të ditur mediat e atjeshme.
24-vjeçarja ishte shpallur e zhdukur të shtunën pasdite pas një aksidenti gjatë hedhjes nga barka, me ç’rast nuk ishte shfaqur më në sipërfaqe të ujit.
Pas kërkimeve katërditore, ekipet italiane të shpëtim-kërkimit të martën e kanë gjetur trupin e pajetë të Florijanës.
Roboti i posaçëm që ishte shfrytëzuar për kërkim nënujor e ka gjetur trupin e saj në thellësi prej 204 metrash, thuhet në njoftimin e Blick.
Më pas, trupi është tërhequr deri në thellësi prej 20 metrash, ku zhytësit kanë mundur ta marrin dhe ta sjellin në anije, me të cilën trupi është dërguar në spitalin St. Anna. Familja e Florijanës është njoftuar për gjetjen tragjike.
Vetëm disa orë para gjetjes së trupit të saj, Young Boys kishte bërë një gjest emocionues duke formuar një zemër me trupat e tyre. Familja e futbollistes i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe solidarizimin.
Ditën e shtunë, Florijana dhe një kolege e saj kishin marrë me qira një barkë për një ditë relaksi dhe pas rrezitjes, shqiptarja ishte hedhur në ujë për t’u freskuar, mirëpo nuk kishte dalë më në sipërfaqe.
Shoqja e saj i kishte thirrur shërbimet emergjente, të cilat i filluan menjëherë kërkimet duke përfshirë disa zhytës, anije, helikopter dhe një robot special, i cili e ka gjetur trupin e pajetë të saj. /Telegrafi/