Telegrafi

Gjendet trupi i pajetë i 55 vjeçarit nga Obiliqi i cili ishte mbytur të dielën në Liqenin e Batllavës

Pas pesë ditë kërkimi, është gjetur trupi i Shaban Shabanit nga Obiliqi i cili ishte mbytur të dielën në Liqenin e Batllavës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Ekipet e nevojshme policore janë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me prokurorinë përkatëse do të ndërmarrin veprimet e mëtejme”, ka thënë Ahmeti.

Gjetja e tij është bërë rreth orës 18 e 30 nga Pjesëtarët e Kompanisë së Kërkim- Shpëtimit në Ujëra të Forcës së Sigurisë të Kosovës ( FSK ).

Gjatë operacionit të kërkimit, njësitet përkatëse kanë përdorur edhe një varkë me skaner për detektuar trupin.

Ndërkaq, zhdukja e tij kishte ndodhur paditën e së dielës.

Familjarët e 55 vjeçarit, kanë thënë se të dielën ata kishin shkuar për pushim në Batllavë.

Sipas tyre, Shabani së bashku me disa persona të tjerë të familjes kishin dalë me dy varka në liqe.

Ata ishin futur në ujë për t’u freskuar, dhe pas një kohe kur po notonin, papritur ishte zhdukur 55 vjeçari. /Telegrafi/