Telegrafi

Gjeli i shqiptarit – model për bankën më të madhe zvicerane

Banka më e madhe e Zvicrës, UBS, ka zgjedhur gjelin e Ibrahim Zahirit, si model për të promovuar produktet bankare për klientët e saj.

“Ky është gjel i veçantë. Ja, shikoje, sa elegant është dhe krenar. Është po ashtu racë e vjetër dhe shumë karakteristike. Gjelin e bën të veçantë edhe këndimi i tij”, thotë Zahiri.

Zahiri kishte migruar në moshën 13-vjeçare në Zvicër. Prej atëherë ishte treguar dashamirës i kafshëve, edhe si anëtar i organizatës për përkujdesjen ndaj kafshëve, “Tier Heim”.

Me këtë lloj gjelash që kultivon Zahiri, ai disa herë ka zënë vendin e parë në prezantimet e shpezëve.

“Aty si kriter merren parasysh pendlat, ngjyra, forma dhe paraqitja e tyre etj.”, thotë gjilanasi, ndërsa bashkë me bashkëshorten përgatit me zell dhe dashuri gjelin e zgjedhur nga UBS, për ta fotografuar.

E gjithë familja e tij është e angazhuar me në kultivimin e pulave.

“Është argëtimi dhe preokupimi që më mban vital dhe me disponim të mirë, mua dhe familjen time”, thotë ai.

Zahiri është po ashtu menaxher në disa filiale të rrjetit të shitoreve “Denner” në Zvicër. Ndërsa, merret edhe me politikë: vitin e kaluar u zgjodh këshilltar në Asamblenë e Komunës së Glatbruggut. Gjithashtu është një nga iniciatorët për themelimin e shoqatës Glatt-Alb, e cila angazhohet në fushën e integrimit të shqiptarëve në Zvicër. /Telegrafi/