Site icon Telegrafi

Gjatë vitit vjen versioni serik i Lincoln MKX

Kompania Lincoln në prill të vitit të kaluar në panairin e veturave në Pekin, promovoi zyrtarisht konceptin e saj të ri MKX, që për herë të parë ka prezantuar konceptin e vet jashtë Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, menjëherë është përmendur se koncepti MKX do të ketë versionin serik edhe gjatë vitit 2015.

Ky version serik premierën do ta ketë javën e ardhshme në panairin e veturave NAIAS në Detroit, por në saje të këtyre fotografive të para zyrtare na është mundësuar që të shohim se si duket ky Crossover luksoz i madhësisë mesatare.

Ashtu siç pritej, ky version serik eksterierin e ka më të “zbutur”, kryesisht vlen për dritat, ndërsa është i bazuar në modelin më të ri Ford Edge.

Sa i përket pjesës motorike, është përmendur motori EcoBoost 2.7-litër, V6 Twin-Turbo benzinë, me më shumë se 300 kuaj fuqi, i kombinuar me një marsh automatik prej gjashtë shpejtësive, transmeton Koha.net. Mbetet të shihet nëse më vonë do të jenë në dispozicion edhe versione tjera të motorit.

MKX do të ketë sistemin adaptues të kontrollit dhe sistemin Lincoln Drive Control me tre opsione: Normal, Komfort dhe Sport. /Koha/

Exit mobile version