Telegrafi

I gëzohen çlirimit nga okupatorët rusë, ushtarët ukrainas priten me përqafime nga gratë e Kharkivit – nuk mund të fshihnin lotët e gëzimit

Lot gëzimi janë parë në fytyrat e grave ukrainase që përqafonin me tërë forcën ushtarët ukrainas në  Kharkiv, ku pas kundërofensivës së Kievit – kanë arritur të dëbojnë nga rajone të caktuara ushtarët rusë të Vladimir Putinit.

Në një video të shpërndarë dhe që është shikuar nga miliona njerëz, një grua e veshur me të kaltër shihet duke vrapuar në drejtim të ushtarëve ukrainas, derisa një tjetër bën të njëjtën gjë, transmeton Telegrafi.

Ato nuk mund të fshihnin gëzimin dhe lotët që u rridhnin në faqe, derisa përqafonin heronjtë e tyre që i kanë çliruar nga pushtuesit rusë.

Derisa Ukraina ka hyrë në ditën e 200-të të luftës, ky vend ka filluar kundërofensivën në jug dhe lindje – rajone këto që prej fillimit të pushtimit ishin nën kontrollin e ushtarëve rusë.

Videoja është realizuar dy ditë më parë, ku shihet gëzimi i grave ukrainase që i presin me përqafim luftëtarët ukrainas në Balakliia, qytet ky në rajonin Izium, provincë e Kharkivit.

Pamjet janë shpërndarë nga Walter Report, që shpërndan të rejat më të fundit për luftën në Ukrainë. Ky medium ka bërë të ditur se ukrainasit kanë rikthyer kontrollin edhe në Kupiansk. /Telegrafi/