Majlinda Kelmendi regjistroi një tjetër arritje historike për sportin e Kosovës duke e fituar medaljen e parë të artë nga Lojërat Evropiane.
Krenaria e sportit tonë e ngriti sërish lart emrin e Kosovës në botë dhe këtë e ka bërë gjatë Lojërave Evropiane ‘Minsk 2019’ që po zhvillohen në Bjellorusi.
Ajo fitoi në finale ndaj kampiones së deritanishme evropiane, Natalia Kuziutina, të cilës iu hakmor për humbjen e Distria Krasniqit në finalen e kaluar të Evropianit.
Dhe natyrisht se nuk mund të mungonte gëzimi i saj i madhe dhe i trajnerit të sukseseve, Driton Kuka.
Në momentin e triumfit të Majlindës, Kuka është çuar në këmbë për t’iu gëzuar fitores, ndërkaq xhudistja jonë ka bërë me shenjë kah flamuri i Kosovës.
Dhe menjëherë pas përshëndetjes me kundërshtaren, ka ardhur përqafimi në mes të dy njerëzve që po na bëjnë krenarë vazhdimisht, Majlindës dhe Dritonit.
Derisa në publik nuk ka munguar festa dhe ngritja e flamurit të Kosovës. /Telegrafi/