Ish-deputeti Gëzim Kelmendi ka qenë i ftuar së fundmi në emisionin “Debat D+”, në RTV Dukagjini.
Mes të tjerash, ai ka komentuar edhe përgatitjet që po bëhen për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, e cila kremtohet më 17 shkurt.
Ardhja e Rita Orës për këtë datë është një tjetër ngjarje shumë e diskutuar në media, të cilën Kelmendi e kritikoi për ekzagjerimin që i është bërë.
Ai tha se në vend se Kosova të krenohet me Adem Jasharin, po krenohet me Rita Orën dhe Dua Lipën, dy ambasadoret e njohura shqiptare që kanë arritur famë në tregun ndërkombëtar.
“Liderët politikë krejt meritat i kanë fshirë se kush ka punuar për Kosovën. Dmth Kosova është krenu me Dua Lipën dhe Rita Orën. Jo, Kosova krenohet me Adem Jasharin”, ka thënë ndër të tjerash Gëzim Kelmendi.
I njëjti tregoi se më 17 shkurt të vitit 2017 ishte deputet në Kuvendin e Kosovës, atëherë kur në sallë nuk u diskutua për Adem Jasharin, dhe nuk është përmendur nga presidenti i shtetit, por janë përmendur dy këngëtaret në fjalë.
Ndryshe, Rita Ora dhe Dua Lipa njihen si ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare, të cilat kanë arritur të thyejnë rekorde në muzikën ndërkombëtare, ndërsa shquhen si ndër emrat më potencialë edhe të këtij viti. /Telegrafi/