Shprehja “tigër prej letre” që Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përmendi të shtunën në Forumin e Dubrovnikut referuar Bashkimit Evropian në aspektin e sigurisë, ka ngjallur reagime të shumta.
Duke folur në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik”, kryediplomatja e Kosovës ka thënë se BE-ja nuk mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë.
E ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke i quajtur papërgjegjësi “e përzier me megalomania dhe injorancë”.
“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megalomani dhe injorancë. Zatën, këto të tria rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, ‘tigër prej letre’ i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”, ka shkruar ajo në Facebook.
E zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se Gërvalla “e zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele”, ka marrë përgjigjen e duhur nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.
“Përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri – qëlloi të mbajë postin e krye diplomates – dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë. Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schëarz!?”.
“Ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të!? E zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajcak e Escobar”, ka shkruar Halimi në Facebook.
Ajo tutje është shprehur se “nuk ekziston një BE tjetër pos kësaj (nuk ka një BE sipas botës paralele të VV-së!) kurse i dyti ia përkujtoi asaj se vendet e NATO-s që kanë braktisur popullizimin dhe nacionalizmin janë plotësisht të lira dhe të sigurta”.
“Escobar sikur i tha rrini ju në lloqin e rivaliteteve ballkanike!? E mjerë kjo gjendje diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e rrezikshme!”, ka përfunduar zëdhënësja e LDK-së.
Ndaj deklarimeve të Gërvallës ka reaguar edhe ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka pyetur se “nëse BE-ja pa SHBA-në është tigër prej letre çka është Kosova pa BE-në e SHBA-në?”.
“Interesant si Gërvalla thotë se BE pa ShBA është tigër prej letre. Nqs BE pa ShBA është tigër prej letre çka është Kosova pa BE e ShBA? Cila kafshë dhe prej çfarë materiali?”, ka shkruar Ahmeti në Twitter. /Telegrafi/
Interesant si Gërvalla thotë se BE pa ShBA është tigër prej letre.
Nqs BE pa ShBA është tigër prej letre çka është Kosova pa BE e ShBA? Cila kafshë dhe prej çfarë materiali?
— Shpend Ahmeti (@ShpendA) July 8, 2023