Sihana Bejtullahu nga Germin në një intervistë për Telegrafin ka folur për procesin e vëzhgimit të verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Bejtullahu tha se procesi i verifikimit të votave ka shkuar shumë ngadalë, mirëpo siç tha ajo është përshpejtuar pak me shtimin e kapaciteteve njerëzore.
Sipas saj, deri më tani janë hapur 30,560 zarfe nga diaspora, përderisa nga këto zarfe kanë dal 48,864 votues, prej të cilëve janë aprovuar 34,977 dhe janë refuzuar 13,887 votues.
“Ka qenë një proces shumë i ngadalshëm në fillim por tash që janë rrit kapacitet e personave për verifikim është shpejtuar pak ky proces. Ne kemi një raport nga vëzhguesit tanë atje, i cili flet për datën e sotme dhe është në përditësim në orën 12:00. Zarfe të hapura deri më tani janë 30,560, përderisa nga këto zarfe në total kanë dalë 48,864 votues brenda prej të cilëve të aprovuar janë 34,977 dhe të refuzuara janë 13,887 të cilët të përkthyer në përqindje jemi diku 28 për qind i totalit të zarfeve të cilat po refuzohen”, ka thënë Bejtullahu.
Ajo tutje tregoi se disa prej zarfeve do të rishqyrtohen në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).
“Disa prej zarfeve do të rishqyrtohen, posaçërisht votuesit të cilët janë refuzuar në periudhën e aplikimit dhe kjo do të bëjë që numrat e refuzimit do të jenë preliminare sepse ato do të mund të pësojnë ndryshime, po ashtu dhe një kontroll i atyre të cilat janë aprovuar kështu që dhe aty mund të ketë luhatje të vogla, prandaj gjatë gjithë kohës ne po i japim numrat preliminar pasi mund të ndryshojnë në fund të procesit”, tha ajo.
Ndërkaq, Bejtullahu nga Germin theksoi se disa zarfe kanë shkuar në Prokurori pasi dyshohet për disa manipulime në njërën prej pakove.
“Disa zarfe kanë shkuar në Prokurori pasi dyshohen për disa manipulime në njërën prej pakove. Përndryshe pjesa tjetër po shkon në rregull. Punëtoret atje janë duke punuar maksimalisht, mirëpo kushtet e punës nuk janë të mira pasi është një sallë e mbushur me pluhur dhe nuk ka ajrosje të mjaftueshme. Në fund të gjithë procesit ne do të shkruajmë një raport si dhe do të kemi dhe rekomandime se si të përmirësohen këto”, tha tutje Bejtullahu.
Ndryshe, GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).