Në edicionin e katërt të konferencës GrowthTank, me temën “Generation of AI”, fokusi kryesor është në ndikimin e Inteligjencës Artificiale në transformimin e strategjive të marketingut, krijimin e përmbajtjes dhe analizën e të dhënave.
Benjamin Kolenoviç, organizatori i eventit në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se çdo vit konferenca po rritet në mënyrë të jashtëzakonshme.
Sipas tij, dhe këtë vit në Prishtinë do të marrin pjesë ekspertë të njohur nga fusha e mediave sociale, marketingut digjital, dhe inteligjencës artificiale.
“Edhe këtë vit në Prishtinë i presim ekspertët më të mëdhenj, në botën e social media, digjital marketing dhe të inteligjencës artificiale. Për nga risitë mund të them që i kemi nga Meta edhe Google në Kosovë. Edhe fakti tjetër që e kemi konsulentin e social medieve numër një në botë, Matt Navarra”, tha ai.
Sipas Kolenoviç në këtë edicion dy ditorë do të ketë edhe aplikim praktik të inteligjencës artificiale.
“Jo vetëm për rininë, por edhe për moshat e shtyme. Ka shumë diskutime për reja. Ka shumë diskutim teorik. Çka kemi me testu gjatë konferencës me bo është që me tregu një aplikim praktik të inteligjencës artificiale, gjë që kanë me bo edhe folësit gjatë Growthtank”, theksoi organizatori.
Një nga folësit e këtij edicioni është edhe Matt Navarra i cili është një nga konsulentët më të njohur dhe më të kërkuar të mediave sociale në botë.
Me mbi 15 vjet përvojë në industri, ai ka punuar me disa nga markat më të mëdha në botë, duke përfshirë Google, BBC, ITV, ITN, Kombet e Bashkuara, Kryqin e Kuq ndërkombëtar, Mozilla, Monzo dhe Pinterest.
Navarra tha se para audiencës kosovare do të flas për karrierën e tij 15 vjeçare si dhe për platformat më të mëdha botërore në rrjetet sociale.
“Po. Ne do të flasim pak për mënyrën se si e fillova karrierën time në rrjetet sociale 15 vjet më parë. Ne do të flasim pak për AI, duke qenë se kjo është gjëja më e madhe që ka ndodhur për shumë njerëz këtë vit. Ne do të prekim ndalimin e TikTok në SHBA. Ne do të diskutojmë gjëra që lidhen me platformat që po rriten, platformat që po bien, çfarë po ndodh me Elon Musk dhe X, dhe Threads, Fediverse, Metaverse, kështu një gamë e tërë temash, dhe gjithashtu se si të bëhemi një lloj vetë krijues”.
Gjithashtu, Davide Colla, themelues i agjencisë së njohur të markës digjitale 150 UP, do të ndajë përvojën e tij për zbulimin e AI dhe si ta përqafojmë atë për të kapërcyer frikën nga teknologjitë e reja.
“Sot në GrowthTank, ne do të flasim për, AI në përgjithësi dhe rrugën time personale drejt zbulimit të AI. Sepse, dua të them është një lulëzim në të gjithë botën, por për mua, ishte një lloj si një kërcënim dhe ende është. Kështu fjalimi ka të bëjë me, si ta kapërcejmë këtë frikë nga ardhja e re dhe si të përqafojmë AI në punën e përditshme”
Ndërkohë, pjesëmarrësja Rina Sahatçiu, influencere në rrjetet sociale, shpreson të mësojë më shumë për përdorimin e AI në marketing dhe përfitimin e informacioneve të reja për sukses në fushën e saj.
“Mendoj që kam për të mësuar për shumë sende. Me atë mendim jam ardhë, duke pa edhe kush ka me fol aty në skenë. Jam vetë që merrna me këtë fushë, atë të marketingut.
Përderisa jemi në ditët që digjitalizimi është në jetën tonë përditshme, atëherë mendoj që është më mirë me mbajt veten sa më të update me informata të reja, sidomos këtë pjesën e përdorimit të Inteligjencës artificiale, që mendoj që duhet me e ditë se qysh me përdor për me pas sukses.
Kështu që mezi po pres me pa se çka ka me mësu sot”, ka thënë Sahatçiu.
Ndryshe, më 9 nëntor, në ditën e dytë të konferencës GrowthTank, do të organizohen dy punëtori: “From Data to AI” në hapësirat e Innovation Center Kosovo (ICK), e drejtuar nga Remzi Kurshumliu dhe “AI as a Creative Partner” në Tech Park Prishtina, me Dr. Steffen Schmidt. /Telegrafi/