Site icon Telegrafi

Gena, gati projektin e ri – a do jetë ky hiti i verës?

Vazhdon të mbetet një ndër këngëtarët më të kërkuar në tregun muzikor shqiptar. Genën mund ta gjesh gjithkund me projekte, koncerte, mbrëmje muzikore e madje edhe në dasma.

Përveç në Shqipëri, këngëtari vazhdon të pranojë dashuri të madhe edhe nga publiku në Kosovë. Gjatë këtij sezoni, ai me muzikën e tij është i pranishëm shumë shpesh edhe te ne.

Megjithatë, nuk ishin vetëm koncertet arsyeja e qëndrimit të Genës në Kosovë, raporton KTV.

Sipas emisionit “Express Summer”, ai aktualisht është duke punuar rreth realizimit të një kënge, për të cilën thotë se do të jetë një hit veror. Ndryshe nga bashkëpunimet në të kaluarën, këngëtari ka zgjedhur që këtë sezon ta sjellë një projekt solo.

Puna për të ka filluar prej kohësh, pasi këngës po i realizohet edhe videoklipi.

Tekstin e këngës me titull “Ndale” e ka shkruar vetë Gena, derisa muzikën e ka punuar, Edlir Begolli. E sa i përket videoklipit, këngëtari ka zgjedhur ta xhirojë në Kosovë. Punën për videoklipin është duke e kryer produksioni VSM.

Për këngën “Ndale”, Gena thotë të ketë punuar shumë, pavarësisht angazhimeve që ka pasur.

Përveç Mimoza Shkodrës, Gena ka bashkëpunuar edhe me Florin, Ermal Fejzullahun, Nora Istrefin e shumë të tjerë, por ai thotë se shumë më mirë funksionon atëherë kur sjell projekte solo.

Me muzikën e tij, Gena po i marton shumë shqiptarë. Këngëtari është shumë i angazhuar edhe në ahengje familjare e dasma. E aty ku është Gena, atmosfera është e garantuar, po edhe pagesa është e mirë fund i fundit.

Por, përveç në muzikë që ka ardhur me bashkëpunime të ndryshme e risi, sa i përket pamjes fizike, Gena mbetet çdoherë i njëjti. Nuk ndryshon shumë në peshë, e me flokë të gjata është personifikuar që nga fillimi. Kështu, vetvetiu vjen pyetja se a ka në plan Gena të ndryshojë ose t’i presë flokët.

“Express Summer” do ta sjellë premierën e projektit më të ri të Genës.
Adhuruesve të muzikës së tij nuk u mbetet të presin gjatë, pasi kënga “Ndale” me videoklip do të publikohet shumë shpejt. /Telegrafi/

Exit mobile version