Site icon Telegrafi

Me Gemini, kompanitë do të mund të krijojnë motorë kërkimi të brendshëm pa pasur nevojë për kodim

Gemini, chatboti i Google, konkurrenti i ChatGPT-s, tani është në dispozicion për përdorim nga kompanitë.

Google njoftoi se e ka integruar chatbotin në Vertex AI, një mjet i Google Cloud që mund t’i ndihmojë zhvilluesit (developerat) t’i rregullojnë modelet e tyre me Inteligjencë Artificiale. Kjo do t’u japë përdoruesve të Vertex AI qasje në aftësi të reja nga Gemini, duke përfshirë edhe mundësinë për të ndërtuar chatbot-et e tyre, transmeton Telegrafi.

Thomas Kurian, CEO i Google Cloud tha në një konferencë shtypi se së shpejti zhvilluesit do të mund t’i kërkojnë informacionet e brendshme sikurse depot e dokumenteve të kompanisë dhe aplikacionet e ndërmarrjeve dhe faqet e internetit, të gjitha pa pasur nevojë që programerët të kryejnë kodime për të pasur qasje në këto të dhëna të kompanisë.

“Mendojeni këtë si kërkim cilësor në Google. Por, për të dhënat e një kompanie”, deklaroi Kurian.

Duke i bërë pyetje mjetit në anglisht, Vertex AI Search mund të kërkojë imazhe dhe tekste (të dhëna të kompanisë) të qasshme përmes aplikacioneve si OneDrive, Dropbox ose Salesforce – për të gjeneruar përgjigje dhe për të ofruar përmbledhje. /Telegrafi/

Exit mobile version