Asnjë fije dyshimi nuk e ka Bajram Gecaj, zëvendës ministër i Pushtetit Lokal dhe zyrtar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, se pas akteve të djegieve të zyrave dhe veturave private e zyrtare të LDK, por edhe të PDK, qëndrojnë aktivistë dhe zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Gecaj ka thënë për RTV Dukagjinin se dyshimet e tij i ka bazuar në veprimet që ka bërë opozita tash e gjashtë muaj, përmes gazit lotsjellës dhe koktej molotovit, duke u ndalur posaçërisht te zyrtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto akte madje ai i ka cilësuar si vepra terroriste.
Prej 26 shkurtit kur është zgjedhur presidenti i ri i Kosovës Hashim Thaçit, zyrat e LDK në Prishtinë por edhe në qytetet e tjera kanë qenë cak i sulmeve. Por këtu nuk ka përfunduar gjithçka. Veturat private të bashkëshorteve të zyrtareve të LDK e PDK nuk janë kursyer, të cilat janë djegur nga persona të panjohur deri tani për policinë. Sulmet kryesisht janë kryer gjatë orëve të vona të natës.
Gecaj thotë se djegia e veturave që kanë qenë pronë e grave të zyrtarëve të LDK dhe PDK është akt tejet i ulët, meqë sipas tij ato s`kanë farë të bëjnë me politikë.
Sërish zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje i ka quajtur brigada të kuqe. Gecaj është lutur që këto akte terroriste sipas tij të përfundojnë me kaq duke vlerësuar që aktivistë apo zyrtarë të VV të mos kalojnë edhe në atentate .
Zyrtar për media në policinë e Kosovës kanë thënë se të gjitha këto akte janë duke u hetuar nga policia e Kosovës. Hetimeve sipas tyre janë duke u kryer në disa pista.
“Të gjitha rastet e djegies së veturave dhe dëmtimit të pronave, zyrave të subjekteve politike janë nën hetime nga Policia në koordinim me Prokurorin Kompetent. Hetimet janë duke vazhduar dhe janë duke u hetuar disa pista te mundshme. Hetimet janë në faza të ndryshme varësisht kohës kur ka ndodhur rasti”, thuhet ne përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Deri tani janë djegur veturat private të shefit të GP të PDK, Adem Grabovci, të bashkëshorteve të Memli Krasniqit e Bajram Gecajt, si dhe së fundi vetura e Lidhjes Demokratike të Kosovës me të cilën vozitet Ismet Beqiri. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?time_continue=8&v=wXbc1QaUfwk