Site icon Telegrafi

Gazetarja nga Ukraina që u strehua në Kosovë: Më ka bërë përshtypje sesi dhimbja e vendit tim ndihet në zemrat e popullit të Kosovës

Lyudmila Makey, gazetarja e parë nga Ukraina e cila është strehuar në Kosovë, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka thënë se sapo ka zbritur nga avioni ka ndjerë sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve këtu.

Makey ka theksuar se i ka bërë përshtypje se si “dhimbja e vendit tim ndihet në zemrat e popullit të Kosovës, ajo godet deri në lot”.

“Sepse e dinë sa vështirë është ta shërosh plagën e lënë nga një luftë e tmerrshme. Jam mirënjohëse ndaj Qeverisë së Kosovës për mbështetjen ndaj popullit të Ukrainës në një moment të vështirë”, është shprehur ajo, para mediave.

Po ashtu, ajo ka falënderuar gazetarët në Kosovë për solidarizimin me luftën në Ukrainë duke thënë se “është shumë e rëndësishme që bota të dëgjojë për Ukrainën”.

Mes tjerash, ajo ka thënë se është e nderuar të përfaqësojë unionin e gazetarëve të Ukrainës, i cili ka mbi 16 mijë të anëtarësuar.

Lexo po ashtu Telegrafi ofron përkrahje për gazetarët ukrainas që pritet të vijnë në Kosovë

“Puna e gazetarëve në Ukrainë është bërë shumë e rrezikshme. Rusët po vrasin të gjithë pavarësisht moshës, gjinisë, racës apo profesionit”, është shprehur Makey.

Ajo ka bërë të ditur se që nga fillimi i luftës, më shumë se 21 gazetarë kanë vdekur nga forcat ruse, dhe jo vetëm ukrainas.

“Më shume se 25 kolegë të mi janë të zhdukur, nuk dihet për fatin e tyre. Gazetarët kërcënohen e shantazhohen edhe të afërmit e tyre. Nuk duhet të jetë kështu, është mirë që edhe ju të gjithë e kuptoni këtë. Jam sinqerisht mirënjohëse për mundësinë që të bëhem gazetarja e parë ukrainase që vjen në Kosovë. Për mua kjo është mundësi e mirë për të qëndruar në profesion dhe për të njohur kolegët gazetarë në Kosovë”, ka thënë mes tjerash Makey.

Lexo po ashtu Gazetarja ukrainase kujton fillimin e bombardimeve në Ukrainë: U zgjova nga zhurma e aeroplanëve – ishte e tmerrshme se nuk munda të kontaktoja me vajzën

E pyetur nëse ka dëgjuar apo shkruar më herët për Kosovën, gazetarja nga Ukraina tha se “po, kam dëgjuar dhe lexuar për Kosovën, por për të shkruar nuk kam pasur mundësi pasi nuk kam pasur kolegë nga Kosova që të marr informata”.

Ndërsa, Flutura Kusari nga ECMPF tha se kanë edhe kërkesa të tjera nga gazetarët ukrainas për të ardhur në Kosovë nga gjithsej 20 sa do të vijnë. Ndërkohë tregoi edhe shpenzimet mujore të gazetarëve ukrainas që do të vijnë në Kosovë.

“500 euro në muaj për shpenzime mujore, 300 për qira dhe 1000 euro për udhëtim”, tha ajo. I gatshëm për bashkëpunim u shpreh edhe kryetari AGK-së, Xhemajl Rexha. /Telegrafi/

Exit mobile version