Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, pati deklaruar hapur përkrahjen që ia ka dhënë Lëvizjes Vetëvendosje në tubimet e tyre me qytetarë, me moton ”Kundër Pan Hajnisë”.
Në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini, Bahtiri është pyetur nëse është i vetëdijshëm që disa ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë nga radhët e Aleancës Kosovë e Re (AKR), pjesë e së cilës është dhe ai.
Në këtë drejtim gazetari ka përmendur ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, transmeton Telegrafi.
Mirëpo në këtë pyetje të gazetarit, Bahtiri nuk dha një përgjigje duke iu drejtuar këtij të fundit në formë humori “se është i keq”.
“I keq je”, i tha shkurt gazetarit, Agim Bahtiri.
Ndryshe, Bahtiri ditë më parë ka marrë pjesë në një nga tubimet e LVV-së të organizuar në Mitrovicë, ku iu pati bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin parasysh vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës, për bashkimin e saj. /Telegrafi/