Korrespondenti i BBC-së gjatë luftës në Kosovë, David Loyn, ka folur rrëfen eksperiencën e tij në raportimin nga lufta në Kosovë, duke përmendur edhe pyetjen që kishte bërë Ibrahim Rugovës në njërën nga konferencat për shtyp.
Gjatë intervistës për “Kallxo Përnime” është transmetuar një kronikë e shkurtër e realizuar nga Loyn për BBC në të cilën shihet presidenti tashmë i ndjerë, Ibrahim Rugova, në njërën nga konferencat e tij të mbajtura gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Rugova ishte pyetur nga Loyn në atë kohë se “Si do ta përfshini UÇK-në në procesin e paqes?”
“Për grupin që e përmendni ju jam duke bërë hulumtime se kush janë ata, nëse ekzistojnë apo është lojë serbe. Gjenerator kryesor i dhunës në Kosovë është Serbia”, ishte përgjigjur Rugova.
Loyn thotë se Rugova qartazi nuk dëshironte të fliste fare për UÇK-në në atë kohë.
“Një gjë e jashtëzakonshme këtu është fakti se ai qartazi nuk dëshironte të fliste fare për UÇK-në. Dhe kishte një qasje të tipit ‘Nuk jam shumë i sigurt se kush janë këta njerëz’. Kjo vetëm dëshmonte shkarjen dhe faktin se kjo nuk ishte luftë e përbashkët”, thotë Lyon gjatë intervistës në “Kallxo Përnime”.
Loyn, i cili nuk ka qenë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, thotë se është i emocionuar dhe frymëzuar kur sheh Kosovën e pavarur dhe sovrane.
Korrespondenti nga BBC thotë se ishte i ‘goditur’ nga çmenduria që forcat serbe në krye me Slobodan Millosheviq po përpiqeshin të bënin në Kosovë.
“… dukej se po provokonte reagimin i cili në fakt erdhi një vit më vonë”, thotë Loyn.
Loyn theksoi rëndësinë e raportimeve nga mediat ndërkombëtare mbi luftën në Kosovë.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk po shikonte. Po e them shumë troç po të mos ishin gjërat që kemi parë ne si shtypjen e tmerrshme të njerëzve, masakrat ndaj civilëve si dhe guximin dhe zgjuarsinë e të rinjve dhe të rejave që luftuan …”, thotë ai.