Institucionet në Maqedoni heshtin kërkesën e shoqatave së gazetarëve për vazhdimin e bisedimeve për reforma në media.
Përveç Lidhjes Social Demokrate të opozitës, e cila mbështet kërkesën e tillë, ende asnjë nga partitë tjera politike dhe zyrtarët shtetëror si presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri nuk janë deklaruar lidhur me letrën në adresë të tyre nga shoqatat për tu takuar lidhur me negociatat për reforma serioze në media para zgjedhjeve të parapara për më 5 qershor, njofton REL.
Bisedimet janë ndërprerë më 24 shkurt kur partitë arritën marrëveshje për shtyerjen e datës së zgjedhjeve, kjo edhe ka nxitur shoqatat që të kërkojnë vazhdimin e tyre pasi sipas tyre pa media të pavarura nuk mund të priten zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Nga liderët e katër partive kryesore politike VMRO DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH kërkojmë përgjigje se pse dështuan bisedimet për reforma në media?. Liderët politik Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh ThaçI morën përsipër zbatimin e reformave serioze në media andaj Ii rikujtojmë se pa këto reforma Maqedonia nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike si dhe nuk do të ketë zgjidhje të krizës politike”, ka deklaruar Naser Selmani, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.
Lideri i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev për ndërprerjen e bisedimeve ka fajësuar VMRO DPMNE dhe partnerët e saj.
Ai edhe një herë i ka bërë thirrje atyre, por edhe të gjitha shoqatave të mediave që të ulen në tryezën e bisedimeve për të gjetur zgjidhje për si[ ka thënë një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes politike.
“Ky nuk është vetëm se obligim nga marrëveshja politike, por edhe pjesë e vlerësimeve të publikuara nga Bashkësia ndërkombëtare se për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike nevojiten media të pavarura. Reformat në media janë obligim edhe i raportit të Komisionit Evropian nga I cili varet e ardhmja e Maqedonisë”.
“Pa reforma në media nuk mund të ketë zgjedhje fer dhe demokratike andaj duhet të ulemi dhe të bisedojmë për të bërë hapin e duhur lidhur me këtë çështje shumë të rëndësishme”, ka deklaruar Zaev.
Njohësit e çështjeve politike dhe të medias, ndërkohë thonë se rol të rëndësishëm në reformimin e mediave duhet të ketë komunitetit ndërkombëtar, me ndihmën e të cilit edhe ishte arritur marrëveshja politike mbi format e kapërcimit të krizës në vend.
Xhelal Neziri, thotë se partitë edhe pse deklarativisht angazhohen për media të pavarura në fakt ato sipas tij bëjnë të kundërtën duke përdoruara mënyra nga më të ndryshme pengojnë arritjen e marrëveshjes.
Ai thotë se ndërkombëtarët nuk duhet që këtë çështje t’i lënë partive apo ndonjë trupi rregullator, por duhet të angazhohen në miratimin e një kornize të qartë ligjore mbi funksionimin e mediave.
“Mendoj se është gabim nëse faktori ndërkombëtar mendon që çështja e mediave t’i jepet aktorëve të kësaj fushe me atë që do të respektohen standardet ndërkombëtare, pa sanksionimin e këtyre çështjeve me ligj. Duke reformuar trupat rregullator, apo duke vendosur rregulla strikte në ndarjen e mjeteve buxhetore për mediat dhe duke mënjanuar të gjitha hapësirat për korruptimin e mediave do të arrijmë që të kemi një ambient demokratik me media të lira dhe të pavarura”, thotë Neziri.
Bisedimet mes partive ku ishin përfshirë edhe shoqatat e mediave kishin të bënin me departizimin e agjencisë së mediave, si organ më i lartë për kontrollin e punës së mediave, pastaj çështjen e reklamave qeveritare, uljen e gjobave si dhe punën e transmetuesit publik.
Nevoja për reforma në media u aktualizua pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve nga ana e opozitës në të cilat sipas saj dëshmohen presionet mbi pavarësinë dhe lirinë e mediave./Telegrafi/