Gennaro Gattuso ka thënë se triumfi ndaj Interit në Kupën e Italisë nuk i zgjidh problemet e Milanit, por i jep hapësirë skuadrës për të marrë frymë.
Një gol i Patrick Cutrones në vazhdime, i dërgoi Rossonerët në gjysmëfinale të Coppa Italia, ku do të luajnë kundër Lazios.
“Po vinim nga një periudhë negative, prandaj kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme”.
“E kam ditur nga dita e parë se me çfarë do të përballesha si trajner i Milanit”.
“Është klub i madh që ka fituar për shumë vite dhe ka ndryshuar shumë lojtarë së fundmi”.
“Po vuajmë, por kjo skuadër ka cilësi dhe nganjëherë i ka munguar kjo. Sonte (e mërkurë) treguam se mund të luftojmë dhe pastaj cilësia doli në pah”.
“Dua t’i uroj lojtarët. Kam fituar gjithçka si lojtar, por si trajner jam i vetëdijshëm se sapo kam filluar”.
“Ka shumë punë për t’u bërë, do të ishim hipokritë po të thoshim se kjo fitore na i zgjidh të gjitha problemet tona, por na jep pakëz hapësirë për të marrë frymë”, ka deklaruar Gattuso për Rai Sport. /Telegrafi/