Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) sot ka organizuar konferencë për media, me ç’rast janë shpalosur detajet rreth organizimit të ndeshjes “All Star” – Memoriali “Isuf Lumi”, aktivitet ky që do të zhvillohet të premten (01.04.2016) në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Në konferencë të pranishëm ishin trajnerët e të dyja skuadrave, asaj të vendorëve të Superligës, Arben Krasniqi, përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të të huajve që luajnë në elitën e basketbollit kosovar, Branimir Paviç, aktualisht trajner i Pejës.
Kjo ndeshje është tradicionale për FBK-në, pasi që organizohet për nder të ndjerit Isuf Lumi, i cili ka qenë kryetari i parë i FBK-së pas mëvetësimit të sportit të Kosovës, ndërsa pasluftës për disa vite radhazi ka qenë në rolin e sekretarit të përgjithshëm të FBK-së, duke kontribuar maksimalisht në të gjitha mënyrat në zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë.
Leart Hoxha, sekretar i përgjithshëm i FBK-së: “Arsyeja kryesore e organizimit të këtij aktiviteti është për nder të njeriut që dha aq shumë për basketbollin kosovar, të ndjerin Isuf Lumi, i cili ka gjashtë vjet që nuk është më në mesin tonë. Në ndeshjen ‘All Star’ do të takohen përbërjet më të mira aktuale, si të vendorëve ashtu edhe të huajve dhe me këtë rast jam i bindur se do të shohim atraktivitet të madh në parket nga basketbollistët e të dyja ekipeve. Skuadra e vendorëve përbëhet prej 14 lojtarëve, 2 prej të cilëve janë nga Shqipëria, por që në Kosovë luajnë si vendorë, kurse skuadra e të huajve përbëhet nga 13 basketbollistë aktualisht më të mirët që kanë mbetur në klubet kosovare, kur dihet se jemi para play-off-it. Besoj që adhuruesit e basketbollit kosovar të premten mbrëma do të jenë në numër sa të madh në palestrën ‘Minatori’ në Mitrovicë, ndërsa ne e falenderojmë klubin e Trepçës për bashkëpunim në organizim të kësaj ngjarje të rëndësishme në këtë fazë të edicionit për federatën”.
Arben Krasniqi, trajner i skuadrës së vendorëve: “Është një ndeshje e mirëseardhur. Unë i kam ftuar lojtarët që kam menduar se do të mund të tregojnë basketboll cilësor në këtë takim. E rëndësishme është që të premten të kënaqen të gjithë duke shikuar basketboll atraktiv, pasi që do të përballen lojtarët aktualisht më të mirët në elitën kosovare”.
Branimir Paviç, trajner i skuadrës së të huajve: “Për mua është një nder i madh që më është besuar nga federata udhëheqja e ekipit të huajve. Jam i bindur se të premten do të jetë një festë basketbolli, pasi që është një ndeshje relaksuese. Në të njëjtën kohë shpresoj që palestra të jetë e stërmbushur për faktin se kjo ndeshje do të jetë atraktive dhe ku pritet të mos mungojnë ngulitjet dhe gjërat e tjera që e bëjnë këtë lojë interesante”.
Lista e basketbollistëve vendorë:
KB Sigal Prishtina
Dardan Berisha
Edmond Azemi
Blerim Mazreku
KB Peja
Alban Veseli
Drilon Hajrizi
Leonard Mekaj
Fisnik Rugova
KB Bashkimi
Granit Rugova
Imer Tahiri
KB Golden Eagle Ylli
Urim Zenelaj
Altin Morina
KB Trepça
Korab Prekazi
Vendorët e Shqipërisë
Gerti Shima
Endrit Hysenagolli
Lista e basketbollistëve të huaj:
KB Trepca
Petar Zivkovic
KB Bashkimi
Theron Bussey
Rokas Uzas
Griffin Rame
KB Sigal Prishtina
Willie Kemp
Jason Washburn
Mohamed Abukar
Andrew Warren
Stanimir Marinov
Thomas Massamba
KB Peja
Kevin Burwell
Nenad Delic
Ronald Davis