Rusia thotë se ka penguar sulmet e dy dronëve ukrainas në rajonin e Moskës, por gati 50 fluturime aeroplanësh brenda dhe jashtë kryeqytetit janë anuluar.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, mbërritjet dhe nisjet nga katër aeroportet kryesore të Moskës – Vnukovo, Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky – u kufizuan, duke ndërprerë fluturimin e 45 aeroplanëve për pasagjerë dhe dy aeroplanëve për mallra, tha autoriteti rus i aviacionit Rosaviatsiya.
Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar vazhdimisht se dronët ushtarakë që fluturojnë mbi Moskë – e cila së bashku me rajonin e saj përreth ka një popullsi prej afro 22 milionë banorësh – mund të shkaktojnë një fatkeqësi të madhe.
Ndërkohë forcat ukrainase kanë thënë se kanë rimarrë një numër territoresh rreth qytetit lindor të goditur nga lufta, Bakhmut.
Megjithatë, ata kanë thënë se nuk kanë bërë përparime të mëdha në frontin jugor.
“Janë çliruar edhe 3 kilometra katrorë [rreth Bakhmutit]. Në jug, situata nuk ka pësuar ndryshime të rëndësishme. Mbrojtësit tanë vazhdojnë të përparojnë në sektorët e Berdyansk dhe Melitopol”, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar për televizionin shtetëror. /Telegrafi/