Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur veprim të dhunshëm, sjelljen e deputetëve të LVV-së të cilët kundërshtuan prezencën e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj në seancën e Kuvendit.
Ai shtoi se Selmanaj do të marrë pjesë në seanca të Kuvendit, pavarësisht se LVV-ja ka thënë se nuk do të lejojë që të njëjtat të mbahen në prezencën e tij.
“Ajo që ne kemi parë sot është sjellje arbitrare, me potencial dhune , e dënueshme dhe jo demokratike. Por ne këtu jem, dhe nuk do të lejojmë në asnjë formë që vullneti i qytetarëve dhe vullneti demokratik të shkelet me veprime të dhunshme. LVV është duke tentuar të imponojnë vlerësimet e tyre subjektive mbi Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar nëse LVV-ja vlerëson apo kushdo tjetër se Qeveria është e gabueshme, Kushtetua i parasheh mekanizmat demokratik sic është mocioni i mosbesimit.
“Nëse janë shumicë ata që mendojnë që kjo Qeveri është e gabuar, nëse janë shumicë ata që mendojnë se ky zv.kryeministër nuk duhet të vijë në Kuvend e marrin një mocion e votojnë shkarkimin e zv.kryeministrit dhe automatikisht nuk e lejon me hy brenda seancës protokolli e policia”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/