Telegrafi

Gashi: Nuk ka bisedime për përfshirjen e PDK-së në Qeveri, me Vetëvendosjen mund të bashkëpunojmë sërish në të ardhmen

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi gjatë intervistës për “Përballje” në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi gjatë intervistës për “Përballje”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu është pyetur edhe për postin e presidentit dhe bisedimet për përfshirjen e mundshme të PDK-së në Qeverinë Hoti. Gjithashtu Gashi ka treguar se a mund të ketë bashkëpunimin në të ardhmen ndërmjet LDK-së e LVV-së. 

Gashi tha se diskutime formale me Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka.

“Nuk mundem me gjyku mbi bazën e një hipoteze. Diskutime formale nuk ka, për diskutime nuk di. Gjithmonë zgjidhje janë zgjedhjet, është zgjidhja e fundit, nëse nuk arrin Kuvendi me gjet një kandidat i cili i mbanë 80 deputet në proces votimi atëherë janë zgjedhjet si zgjidhje”, tha Gashi.

 

Kurse, i pyetur nëse mund të ketë bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, Gashi u shpreh optimist, duke thënë se nuk sheh asnjë lloj problemi për të bashkëpunuar prapë me këtë parti.

“Pse jo, nëse Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme me e kuptu rëndësinë politike dhe përgjegjësinë institucionale, patjetër që na nuk e kemi një luftë të përhershme. Debatet parlamentare, qëndrimet pozitë-opozitë krejt normale janë, nuk shoh ndonjë problem unë në Kuvend sot”, tha ai.

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi gjatë intervistës për “Përballje” në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

Sipas Gashit, ai nuk sheh asnjë problem as tani në Kuvend në raport me LVV-në.

“Nuk ka asnjë lloj problemi, unë nuk shoh as sot, pozitë-opozitë, përveç sjelljes së tyre obstruktive me mos pjesëmarrje në votim, krejt tjerat janë në suaza normale të jetës parlamentare”, tha Gashi. /Telegrafi/