Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të rinisë para fundit të qershorit, kështu tha dje Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell pas takimit që pati në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor, por shtoi se paraprakisht do të përgatiten mirë. Kurti përmendi edhe një takim që do të zhvillojë me partitë opozitare gjatë muajit maj, për pasur edhe qëndrimet e tyre sa i përket këtij procesi.
Lidhur me këtë, Telegrafi ka kontaktuar me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se janë të gatshëm të debatojnë e diskutojnë për dialogun dhe secilën temë tjetër në Kuvendin e Kosovës.
“Opozita nuk do t’i përgjigjet me deklaratë, një deklarate të Kryeministrit që ka për qëllim fshehjen nga detyra e tij kushtetuese. Ne do të veprojmë konfrom detyrave tona kushtetuese në Kuvendin e Kosovës. Ne jemi të gatshëm të debatojmë e diskutojmë për dialogun dhe secilën temë tjetër në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe pse Kryeministri i sotëm e opozitari i djeshëm nuk ishte aspak bashkëpunues kur pikërisht kjo i kërkohej”, ka thënë Gashi për Telegrafin.
Gashi më tej ka theksuar se është detyrë kushtetuese e Kryeministrit që të merret me dialogun
Telegrafi ka provuar të marrë qëndrim edhe nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri lidhur me deklaratën e Kurtit për takim me opozitën për tu dakorduar rreth dialogut, por të njëjtit deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje. /Telegrafi/